Kthehu ne faqen e pare

 

 





















SHKAQET DHE PASOJAT E EMIGRIMIT TË SHQIPTARËVE NGA MALI I ZI

 Dr.Nail  Draga

 

Emigrimi i shqiptarëve nga trojet e  tyre etnike në Mal të Zi nuk paraqet ndonjë çështje të panjohur duke marrë parasysh se një dukuri e tillë është e pranishme kudo në hapësirën etnogjeografike shqiptare në Siujdhesen Ballkanike. Por një dukuri e tillë ka të veçantat e veta në ketë mjedis sepse shqiptarët janë e vetmja popullsi me prejardhje entike josllave dhe së në kuadrin e popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi marrin pjesë me 7.09% e popullsisë së përgjithshme(2003).

Andaj duke marrë parasysh ketë pjesëmarrje të popullsisë e cila në aspektin numërik është pakicë apsolute  si dhe faktin se shqiptarët në ketë republikë në aspektin territorial nuk kanë lidhje homogjene, ndërsa në aspektin ekonomik  viset shqiptare janë ndër më të pazhvilluarat bën qe  te shqiptarët emigrimi është bërë dukuri pothuaj normale duke filluar nga dekada e tetë e shek.XIX e cila vazhdon  deri në ditët tona, e dhënë kjo e cila dëshmohet në mënyrë transparente në sajë të te dhënave statistikore.

 

1. Emigrimi i shqiptarëve dukuri e vazhdueshme

Emigrimi i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike qe tash janë ne kuadrin e Malit të Zi, fillon nga përcaktimi i kufinjëve politik duke filluar nga shek.XIX, e ate pikërisht nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe pas tij 1880, e duke vazhduar më pas në saje të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1913), pra si rezultat i  rrethanave te reja shoqërore dhe politike, ne ato mjedise te cilat u aneksuan nga ana e Malit të Zi.

Andaj në rrethana të reja shoqërore dhe politike shqiptarët duke refuzuar pushtetin e ri një numër i konsideruar i tyre ka emigruar, ku si shëmbull tipik kemi banorët e Ulqinit, te cilët ne shënjë revolte, e lëshuan qytetin e tyre duke filluar nga viti 1878 e sidomos pas  vitit 1880. Sipas disa të dhënave nga qyteti në atë kohë  emigruan 413 familje shqiptare, apo rreth 3000 banorë,  te cilët janë vendosur kryesisht ne Shkodër, e ate në kodrat e Kalasë, në Draçin, në Tophanë dhe në një kodër  në të hyrë të Shkodrës, që më vonë u quajt Kodra e Ulqinakëve. Këto familje më vonë u shtrinë në Fushë-Serdarej, Shabanej e Ndocej, Garuc e Zdrale, Perash e Parrucë dhe më pak në Dërgut, Rus e Tepe.

Me vendosjen e ulqinakëve në Shkodër, nga muaji nëntor i vitit 1880 u formu komisioni për të ndihmuar refugjatët. Në krye të Komisionit vihet Jusuf Tabaku, i cili edhe pse nëmoshë më shumë së 80 vjeç, kreu më së miri detyren e kryetarit të Komisionit.

Në grupin e të shpërngulurve nga qyteti i Ulqinit bënin pjesë autoritetet e qytetit, si: Mehmet Beci, Mehmet Gjyli si dhe intelektuali më në zë nga ky qytet Ali Riza-Ulqinaku i cili ka përkthyer “Mevludin” në gjuhën shqipe. Së bashku me parinë e qytetit në Shkodër emigroi edhe një numër i konsideruar i familjeve zezake. Sipas disa të dhënave që disponojmë deri më sot në qytetin e Shkodrës janë regjistruar rreth 617 familje ulqinake me afërsisht 2527 banorë, e barabartë kjo me 3 përqind të popullsisë së qytetit. Praninë e popullsisë ulqinake në Shkodër e dëshmojnë patronimet nga ky mjedis, që si të tilla janë të pranishme edhe në ditet tona.

 

2. Politika asimiluese e kolonizuese e pushtetit të Malit të Zi

Me aneksimin e Ulqinit nga ana e pushtetit të Malit të Zi në nëntor 1880, politika shtetërore malazeze kishte vendosur  objektiva të qarta në lidhje më ketë territor të ri. Çështje kyçe sipas tyre ishte ndërrimi i strukturës etnike të popullsisë së këti mjedisi. Me urdhër të Simo Popoviqit  i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin dhe matjen e sipërfaqës tokësore që duhej të kolonizohej.

Në lidhje mbi ketë çështje, në mënyrë mjaft transparente na dëshmon letra e vojvodë Simo Popoviqit që ia dërgonte ministrit të punëve të jashtme, ku thuhet: ”Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq(shqiptarë të konfesionit islam-N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës t i asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur të shpërngulen  malësorët  nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt , atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur  do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi. Derisa të mos realizohet ky qellim, nuk kemi se çka të gëzohemi”. Një përmbajtje e tillë nuk meriton të analizohet sepse çdo gjë është e qartë dhe transparente, por i mbetej pushtetarëve të rinjë për të realizuar në praktikë kolonizimin e një territori të ri, ku si qellim final kishte ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet.

Në sajë te të dhënave që disponojmë del se kolonizimi në Fushën e Ulqinit ka zgjatur gjatë deri në mesin e vitit 1893. Deri në fillim të vitit 1888 janë ndarë 4000 rrallë tokë( 1 rrallë=1804m2) dhe janë vendosur 160 familje kolonistësh malazez. Deri në  fund të vitit 1890, numri i familjeve koloniste arriti në 200, ndërsa në fillim të prillit 1893, ky numër arriti mbi 300. Gjithsej këtu janë vendosur 400 familje kolonistësh, të cilave iu janë ndarë 5000 rrallë tokë. Nga kjo del se një ekonomi shtëpiake ka fituar mesatarsisht nga 12.5 rrallë tokë.

Çështje të veçantë ka paraqitur Mali i Brisë, i cili ka qenë i banuar më shqiptarë(malësorë) të vendosur këtu kryesisht nga Malësia e Madhe. Pushteti  malazez, u angazhua me të gjitha mjetet për t i dëbuar, madje enkas për ketë çështje parlamenti malazias miratoi një ligj të veçantë, me qellim të kolonizimit të këtij territori me  malazez.

Popullsia malazeze e ardhur është vendosur  nga Mozhura e deri në Bunë, në faza të ndryshme. Kolonistët ishin nga Kuçi, Cërmnica, Piperi, Nahija e Rijekës, Leshanit, Katunit, Bjellopavliqit, Vasojeviqit etj.

Asipratat ekspansioniste ndaj këtij mjedisi i ka shprehur edhe vetë princ Nikolla i cili theksonte  ”... me vendosjen e malazezeve prej Mozhurit e deri  të Buna, tërë  qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “...tërë qyteti dhe rrethina është e banuar më banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezëve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”.

Pas luftërave ballkanike e sidomos asaj të Parë Botërore në sajë të terrorit të uishtrive serbo-malazeze popullsia shqiptare u detyrua të shpërngulet ku krahinat shqiptare të cilat janë goditur më së shumti janë Malësia, Plava-Gucia dhe Rozhaja. Të emigruarit më tu vendosur në Shkodër dhe rrethinën e saj të ngushtë në kujtim të vendlindjes së tyre vendbanimeve të reja iu vendosen emërimet “Hoti i Ri”, “Gruda e Re” dhe “Gucia e Re” që si të tilla janë edhe sot.

Se si ka ndryshuar struktura e popullsisë ne saje te rrethanave politike dhe shoqërore ne dëm te popullsisë shqiptare shëmbull tipik mund te shërbej krahina e Plavë-Gucisë, e cila sipas te dhënave statistikore ne vitin 1908-1909, del së 82.6% e popullsisë së përgjithshme ishte shqiptare, ndërsa ne vitin 2003, ky numër ishte 26.26% e popullsisë së përgjithshme. Ndërsa për te njëtin vit ne Rozhajë popullsi shqiptare kishte 86.5%, ndërsa ne vitin 2003, ishin vetëm 4.32%. Këto konstatime faktografike, besoj se pasqyrojnë ne mënyrë transparente pozitën e popullsisë shqiptare ne këto mjedise.

Në lidhje mbi ketë çështje shumë të rëndësishme dhe më pasoja të vazhdueshme për popullin tonë,   Shoqata e Mëgimtarëve Shqiptarë në Mal të Zi ka organizuar një regjistrim të popullsisë shqiptare të emigruar qe përfshin periudhën kohore 1945-1992, te dhëna këto qe janë  publikuar ne tetor të vitit 1992,  nga del se nga viset shqiptare ne  Mal të Zi, duke filluar pas Luftës së Dytë Botërotre e më pas  ne botën e jashtme kanë emigruar 16.113 persona. Sipas komunave kemi këto të dhëna: nga Ulqini 5577 banorë, Tivari 855, Podgorica 5500, Plava dhe Rozhaja 4181 banorë.

Nuk ka dilemë së këto të dhëna nuk janë të plota sepse mungojnë të dhënat ne mes dy luftërave botërore por edhe më herët, kryesisht mendojmë nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shek.XX kur u përcaktuan kufinjtë politik të shtetit të pavarur shqiptar, ku siç dihet rreth gjysma e territorëve shqiptare mbetën jashtë shtetit të pavarur shqiptar, nga del se kjo çështje do të jetë temë e hapur edhe për të ardhmen.

Emigrimi i shqiptarëve  nga këto vise është bërë në shumë shtete të Evropës Perëndimore, por edhe në SHBA, Kanada dhe Australi. Të dhënat e tilla nga ky regjistrim  kjo Shoqatë i ka në arkivin e vet, dhe për sëcilin individ apo familje egzistojnë të dhëna në formë të dosjes më emër dhe mbiemër, dhe si tilla mund të vërtetohen çdo herë.

 

3. Çdo i treti shqiptarë në botën e jashtme

Por, ne lidhje mbi emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme për të parën herë nga regjistrimet e popullsisë në Mal të Zi të dhëna të përafërta kemi nga regjistrimi i fundit i popullsisë nga viti 2003. Pasi ne ketë regjistrim ka ndryshuar metodologjia e regjistrimit të popullsisë ne krahasim më vitët e meparshme, sepse është marrë për bazë popullsia rezidente e jo edhe ajo që gjindet në botën e jashtme me tepër së një vit. Nga të dhënat e para të cilat janë publikuar nga ky regjistrim i popullsisë  del se shqiptarë në Mal të Zi gjithsejt ka 47682 banorë apo 7.09% e popullsisë së përgjithshme. Por, pasi si kriter bazë është marrë numri i banorëve në vend e jo edhe ato të cilët janë më tepër së një vit në botën e jashtme del se shqiptarë në Mal të Zi  janë 31163 banorë  apo 5.03% e popullsisë së përgjitshme të republikës. Andaj nëse zbresim ketë numër nga numri i popullsisë së përgjithshme del së nga Mali i Zi në botën e jashtme janë  16519 shqiptarë apo 2.6% e popullsisë së përgjithshme të regjistruar. Një e dhënë e tillë është alarmuese sepse asnjë popull në Mal të Zi nuk ka pjesëmarrje aq të lartë të popullsisë së emigruar, që thënë me gjuhën e shifrave del së çdo i treti shqiptarë nga Mali i Zi është në botën e jashtme, dukuri kjo e cila është shndërruar në proces.

Nuk ka dilemë se nga një emigrim i tillë nënkuptohet edhe statusi i pavolitshëm i  tyre ekonomik ne ketë mjedis multinacional. Emigrimi ne botën e jashtme sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, ne mënyrë masive ka filluar nga viti 1966. Shqiptarët kanë lëshuar vendlindjet e tyre dhe janë vendosur ne kampet e ndryshme ne Itali si ne Romë e Trieshte, por edhe gjetiu. Me tu vendosur aty nuk janë deklaruar se janë shtetas jugosllav, por rekomandimi ka qenë te deklarohen se janë shtetas të Shqipërisë, sepse si te tillë do te kenë mundësi te fitojnë lehtë vizen e emigracionit për ne vendet tjera kryesisht ne SHBA.Ishte kjo një politikë perfide e pushtetit jugosllav te asaj kohe, duke mos treguar gjendjen e vertet te mjerimit ekonomik te shqiptarëve në Mal të Zi.

Duhet thënë se emigrimi i shqiptarëve nga Mali i Zi për ne botën e jashtme është bërë kryesisht për motive ekonomike, por ka pasur edhe te atillë qe janë detyruar te emigrojnë për motive politike, por  ky numër ka qenë relativisht i vogël. Ndërsa për ketë kategori individësh çështje të veçantë paraqet problemi se edhe pas dështimit te komunizmit ata  nuk janë rehabilituar nga organet kompetente ne aspektin moral e poashtu  nuk janë  dëmshpërblyer materialisht, sepse  ne Mal të Zi, ne shumë aspekte vazhdon politika e njëjtë si më parë, sepse pushteti e ka te vështirë te pranojë se edhe te shqiptarët ne Mal të Zi, ka pasur te përndjekur, të përsekutuar dhe te burgosur politik.

Jam i vetdijshëm se asnjë e dhënë numërike në lidhje me numrin e shqiptarëve të emigruar  nuk paraqet gjendjen faktike sepse për disa vendbanime qe tash janë pa banorë, është shumë  vështirë qe te sigurohen te dhëna te nevojshme. Andaj ky numër realisht është më i lartë, padyshim rreth 20000 banorë. Por, nëse do të vazhdoj ky trend i emigrimit ne saje te kushtëve te pa përshtatshme ekonomike, nuk do te jetë koha e largët qe shqiptarë nga Mali i Zi, më tepër do të këtë ne botën e jashtme se sa ne vet Malin e Zi.Është pra ky një pastrim i heshtur etnik, ku disa  vendbanime shqiptare pa banorë e dëshmojnë ne mënyrë transparente një konstatim të tillë.

  

4. Emigrimi selektiv-rasti i Anës së Malit

Pas vitit 1991, kemi një emigrim selektiv të shqiptarëve. Fjalën e kemi për te rinjët te cilët nuk kanë dashur te angazhohen ne armaten jugosllave, për te luftuar për qellime te politikës serbomadhe,( ku këtë politikë e ka ndjekur edhe qeveria e Malit të Zi deri më 1997, sepse dihet pjesëmarrja e forcave ushtarake malazeze ne sulmin ne Dubrovnik), andaj nga një situatë e tillë e kanë lëshuar vendlindjen, ku  pas tyre kanë shkuar edhe prindërit. Nuk ka të dhëna te sakta sa është numri i kësaj kategorie ne nivel të republikës, por unë kanë bërë një hulumtim empirik sa i përket Anës së Malit e cila është ne kuadër të komunës së Ulqinit.

Ne këtë analizë e cila përfshin periudhën 1991-2000, del se nga Ana e Malit e cila përfshin sipërfaqe prej 103km2 dhe ka gjithsej 23 vendbanime fshatare,  si rezultat i rrethanave te  luftës ne botën e jashtme kanë emigruar 275 te rinjë dhe 110 familje.

Ne këtë periudhë kohore po ashtu nga Ana e Malit ne botën e jashtme kanë emigruar edhe 173 persona dhe 96 familje, qe te gjithë së bashku bëjnë 448 persona dhe 209 familje, ndërsa shndërruar ne numër te banorëve janë gjithsej 1368 banorë. Këto te dhëna janë   faktografike  dhe të dëshmuara me emër dhe mbiemër. Nuk ka dilemë se emigrimi ka vazhduar edhe më pas nga viti 2000 e deri me 2003, kur është bërë edhe regjistrimi zyrtar i popullsisë. Madje sipas këti regjistrimi të popullsisë Ana e Malit ka pasur gjithsej 8182 banorë ku në vend ishin 5538 banorë apo 67.68% e popullsisë, ndërsa në botën e jashtme ishin 2644 banorë apo 32.31% apo çdo i treti banorë i  popullsisë së përgjithshme, çka dëshmohet në mënyrë transparente trendi i lartë i procesit të emigrimit të popullsia shqiptare. Dhe kur procesi i emigrimit ka përfshirë ne ketë nivel ketë mikroregjion që veçohet me kushte të përshtatshme natyrore për veprimtari bujqësore, për zonat dhe viset tjera është e tepërt të diskutohet. Nga një emigrim i tillë kemi edhe pasojat që manifestohen me  paraqitjen e dukurisë se shpopullimit, do te thot te zvoglimit te numrit te banorëve ne një vendbanim nga një regjistrim i popullsisë ne tjetrin.

Një dukuri e tillë ne viset shqiptare e ate kryesisht në zonat malore nga Rozhaja e deri në Ulqin është tipike sidomos për zonën e Shestanit që gjindet në VP të Krajës (Komuna e Tivarit), ku për periudhën kohore 1948-2003 popullsia ka pësuar ramje për  77.7 %, ndërsa tre vendbanime tash janë pa banorë ( Marstjepaj, Lukiqi dhe Gurza)  me  mundësi  të mëdha që numrit të tyre t iu shtohen  edhe ca vendbanime të tjera.

(Foto nga ndonjë fshat i shpopulluar nga Shestani apo nga vise të ndryshme shqiptare)

 

 

5. Emigrimi plagë e pashëruar për Malësinë

Si asnjë krahinë etnogjeografike shqiptare Malësia ka qenë dhe është edhe tash e përfshirë nga procesi i emigrimit. Ne lidhje me ketë çështje nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, sepse ata ose janë aproksimative apo nuk paraqesin realitetin që paraqet një subjektivizëm të organëve përkatëse shtetërore. Por, të dhëna më të plota në lidhje mbi ketë çështje për Malësinë kemi në librin “Levizja mekanike e popullsisë së Malësisë së Madhe 1948-1998”, te autorit Zef Kalaj, botuar nga “Illyricum”, Tuz, 2002. Ai cekën se për këtë periudhë kohore, nga Malësia kanë emigruar gjithsej:1.ne kuadër të Malit të Zi dhe ne ex-Jugosllavi 1399 banorë shqiptarë, dhe 2.emigrimi ne botën e jashtme 4129 banorë, qe gjithsej janë 5528 banorë shqiptarë.(f.220).

Por, padyshim edhe nga Malësia ka vazhduar dukuria e emigrimit te shqiptarëve  edhe pas këti viti, e cila vazhdon edhe sot, pra kemi një rritje te padiskutueshme te këti numri.Duke marrë parasysh ketë proces nuk janë te pakët ata qe cekin se Malësia është me madhe ne Detroit se sa ne vet Malësinë. Madje vetëm ne Detroid llogaritën se janë rreth 15000 banorë shqiptarë.

Andaj mendoj se çdo tentim për te minimizuar numrin e shqiptarëve te emigruar nga trojet e tyre ne Mal të Zi, duke  paraqitur shifra te cilat janë nën këto të dhëna qe i kemi prezentuar, nuk janë serioze, janë qellim këqija dhe si te tilla te pa pranueshme.

 

 

6. Emigrimi ilegal dhe vendosja në kampe

Shqiptarët te cilët kanë lëshuar vendlindjen e tyre, fillimisht ne mënyrë ilegale janë vendosur ne Itali dhe pjesërisht ne Austri  ku kishin statusin e refugjatit, duke filluar nga viti 1960 e më pas. Qoftë si individë apo familje ata i kanë sistemuar ne kampe, të cilët kanë qenë enkas për refugjatë dhe emigrantë nga vendet e ndryshme, sidomos për qytetarët nga vendet e ish kampit socialist.

Ne Itali kampe te tilla kanë qenë: Patriciano, ne rrethinë te Triestës, ku kanë qëndruar 20-30 ditë e më pas i kanë dërguar ne kampin  qendror “Capua Caserta”, i cili i ka pranuar refugjatet nga Malësia deri ne vitin 1971.Ne këtë kamp kanë qendruar gjashtë muaj e deri ne një vit.

Po ashtu i njohur ka qenë edhe kampi tjetër “Latina”. Me pas janë vendosur edhe ne disa qendra urbane si:Atina, e cila gjindet ne rrethinën e Frosinonës, Ostia, Mentana dhe Dragona qe gjinden ne rrethinën e Romës.Nga këto qendra refugjatët moren dokumentacionin përkatës, dhe janë drejtuar për ne  Nju Jork  dhe Detroitit në SHBA.

Me vonë, kanë ekzistuar edhe drejtime te tjera ku i njohur ka qenë kanali i Meksikos i cili ka funksionuar nga viti 1972 e deri 2000. Ndërsa pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA, dukuria e emigrimit pothuaj është ndërpre tërësisht, që për momentin paraqet një stagnim i imponuar nga rrethanat e ngjarjeve të cilat janë të njohura për opinionin e gjerë.

I tërë ky aktivitet i emigrimit ka qenë i njohur për organet e pushtetit në Mal të Zi, por ato nuk e kanë penguar.Madje ne shumë  raste kanë qenë pjesëmarrës te këti aktiviteti edhe shumë persona qeveritarë, te cilët kanë pasur përfitime materiale, duke iu dhënë pasaportat individëve të cilët nuk e kanë kryer shërbimin ushtarak, apo duke iu siguruar linjat e udhtimit me aeroplana për ne Meksikë e gjetiu.I tërë ky aktivitet bëhëj padyshim me qellim te caktuar, ku përveç përfitimit material, ka pasur edhe dimensionin demografik, duke bërë spastrimin e “heshtur etnik” te viseve shqiptare.

 

7.Përfundim

 

Nga pasojat e emigrimit të popullsisë shqiptare një numër i konsideruar i vendbanimeve janë zbrazur tërësisht dhe si të tilla do të mbesin në kujtesën e gjeografisë kombëtare. Dukuria e tillë është shumë shqetësuese sidomos në ato komuna ku shqiptarët janë popullsi pakicë në kuadër të popullsisë së përgjithshme siç është komuna e Rozhajës, Plavës dhe e Tivarit. Nëse vazhdon qasja  dhe politika e pushtetit për të mos investuar në viset ku jetojnë shqiptarët sikurse deri më tash dukuria e migrimit të popullsisë gjegjësisht e emigrimit të saj do të jetë konstante. Dhe nga një dukuri e tillë hapësira etnogjeografike shqiptare në kuadër të Malit të Zi do të rrudhoset gjithnjë që do të jetë në disfavor të shqiptarëve në përgjithësi.

Mundësia e vetme për të parandaluar një dukuri të tillë është investimi në infrastrukturë dhe në ngritjen e ndërmarrjeve të vogla ekonomike, përmes bashkimit të kapitalit apo donacionëve të ndryshme. Jemi dëshmitarë se një mundësi e  tillë nuk është shfrytëzuar deri më tash në pluralizëm, andaj duhet gjetur forma sepse   mundësitë janë të ndryshme por mvarët se nga kush të inicohen çështjet e tilla. Pasi shqiptarët në Mal të Zi janë pothuaj tërësisht në kuadër të zonës kufitare Mali i Zi-Shqipëri duhet të shfrytëzohen përvojat analoge të vendeve të ndryshme evropiane, që duhet të jenë në favor të zhvillimit dhe të integrimeve regjionale.

 

 --------------------------------------------------------------

 

 

 

Literatura e konsultuar:

 

1.Regjistrimet e popullsisë 1948-2003

2.Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, Art Club, Ulqin 1994

3.Anton K. Berishaj, Shndërrimi i etnisë, Dukagjini, Pejë 1998

4.Zef Kalaj, Lëvizja mekanike e popullsisë së Malësisë së Madhe 1948-1998, Illyricum, Tuz 2000

5.Rexhep Dedushaj, Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë-Gucisë, New York 1997

6.Elmaz Plava, Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Tiranë 1995

7.Mr.Riza Rexha, Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912, Art Club, Ulqin 2005

8.Djoko Pejović, Naseljavanje okoline Bara i Ulcinja i način regulisanja odnosa na zemlji. I.Zapisi, br.3-4, Titograd 1970

9.Djoko Pejović, Pokušaj isušenja Ulcinjskog polja, I.Zapisi br.1-2, Cetinje 1956

10.Žarko Bulajić, Agrarni odnosi u Crnoj Gori(1878-1912), Titograd 1959

11.Miomir Dašić, Pregled teritorijalnog širenja crnogorske države, I.Zapisi br.1, Titograd 1987

12. Mr.Riza Rexha, Shkodra në projektet e zgjërimit territorial të Malit të Zi(shek.XIX-XX), Lemba nr.3-4, Art Club, Ulqin 2000

13. Shpërnguljet e shqiptarëve gjatë  shekujve, Botoi: Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Kosova, Prishtinë 1992

14.Ulqini në rrjedhat e kohës(Simpoziumi shkencor), Art Club, Ulqin 2000

15.Simo Popović, Memoari, Cetinje 1995

16. Në një cep të Ilirisë(Monografi për shqiptarët në Mal të Zi), Art Club, Ulqin 2007

17.Gjokë Dabaj, Shestani I-II, Prishtinë-Tiranë-Ulqin 2004